Rreziqet dhe problemet e lidhura me procedurën e IVF

Stimulimi i skajshëm i vezoreve/ hiperstimulimi (OHSS):Në procesin e fertilizimit in vitro, IVF apo ICSI, është e rëndësishme që të përfitohet një numër sa më i madh i qelizave vezë, gjë që arrihet përmes stimulimit të kontrolluar të vezoreve. Megjithatë, ekziston mundësia që, gjatë aplikimit të kësaj terapie për stimulim, vezoret të reagojnë përtej masave të pritura. Kjo gjendje njihet si sindroma e hiperstimulimit të vezoreve (OHSS). OHSS mund të shoqërohet me shumë simptome të padëshiruara. Edhe pse OHSS është më e pranishme tek pacientet e reja apo tek ato me vezore policistike, megjithatë kjo dukuri mund të haset tek çdo paciente. Prandaj, është e rëndësishme që vezoret të monitorohen me kujdes përmes ultrazërit dhe analizave të hormonit estradiol gjatë kohës kur pacientes i ordinohen medikamente për stimulim të cilat i përkasin grupit të gonadotropineve. OHSS mund të përcillet me zmadhim të vezoreve, me dhimbje dhe fryrje të barkut apo grumbullim të lëngut në abdomen dhe me disa simptome tjera të pa dëshirueshme. Këto simptome mund të vijnë duke u rënduar, me ç'rast pacientja ose duhet të monitorohet nga afër ose duhet të shtrohet në spital.

Infeksioni:Rrallëherë mund të vjen deri tek paraqitja e ndonjë infeksioni pas procedurës së aspirimit të qelizave vezë. Në rast se paraqiten shtrëngime në bark ose temperaturë e lartë, duhet menjëherë të kontaktohet mjeku.

Gjakderdhja:Në raste të rralla mund të pason gjakderdhja pas procedurës së aspirimit të qelizave vezë për shkak të dëmtimit të enëve të gjakut në zonat ku është futur gjilpëra. Këto komplikime janë jashtëzakonisht të rralla kur procedurën e kryejnë mjekët me përvojë. Kjo lloj gjakderdhjeje zakonisht trajtohet me tamponadë me gaza por në raste të rralla kërkon ndërhyrje kirurgjikale poçese është dëmtuar ndonjë arterie gjatë aspirimit të qelizave vezë.

Komplikimet që ndërlidhen me anestezinë: Këto rreziqe mund të jenë të pranishme gjatë aplikimit të çdo procedure kirurgjikale. Megjithatë, problemi më kyç te anestezia janë reaksionet alergjike. Andaj, poçese keni ndonjë alergji përkujdesuni që ta njoftoni mjekun përpara procedurës.

Problemet tjera që mund ta përcjellin procedurën e fertilizimit in vitro (IVF/ICSI). Gjatë aplikimit të kësaj metode të fertilizimit të asistuar mund të ndodhin disa probleme, për shkak të të cilave mund të vjen edhe deri te ndërprerja e tretmanit.

Këto janë si në vijim:

Krijimi i cistave:Në vezore, si pasojë e përdorimit të medikamenteve, mund të vjen deri te krijimi i cistave që në fillim të tretmanit. Meqë cistat vazhdojnë të prodhojnë hormone, ato mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e qelizave vezë. Për këtë arsye, ato duhet të zbrazen ose tretmani duhet të ndërpritet, në mënyrë që cistat të zvogëlohen me medikamente dhe të largohen, e pas kësaj tretmani mund të fillojë sërish.

Zhvillimi i pamjaftueshëm i qelizave vezë:Pavarësisht prej stimulimit mjekësor, është e mundur që vezoret të mos reagojnë në terapinë stimuluese dhe kështu të mos krijohet numër i mjaftueshëm i folikulave. Ky problem haset më shpesh tek pacientët që veç kanë një rezervë të pamjaftueshme ovariale, mirëpo mund t'i ndodhë edhe secilës paciente. Në këtë situatë, mund të jetë e nevojshme që të ndërpritet tretmani dhe procedura të anulohet. Sidoqoftë, një një situatë të tillë ka shumë rëndësi edhe vet vendimi i pacientes.

Dështimi në marrjen e vezëve:Gjatë procedurës së IVF është e mundur që të aspirohen folikulat e zhvilluara në vezore por të mos fitohet asnjë qelizë vezë. Kjo gjendje, e njohur si « Sindroma e folikulave të zbrazëta », mund të shkaktohet nëse pacientja nuk e ka marrë injeksionin HCG në terminin e caktuar apo në sasinë e përcaktuar, ose mund të jetë edhe pasojë e vet mjekimit. Në një situatë të tillë, tretmani i IVF ndërpritet, sepse është e pamundur të vazhdohet në fazën tjetër.

Paaftësia e mashkullit që t'a japë spermën apo pamundësia që ajo të merret nga testiset:Kur dihet se a ka apo jo mashkulli problem me dhënjen e spermës bën të mundur marrjen e masave parandaluese. Për këtë arsye, mos ngurroni ta njoftoni mjekun tuaj paraprakisht nëse ka ndonjë problem të tillë. Poçese mashkulli nuk ka problem të tillë, mirëpo për shkaqe psikologjike nuk është edhe më tutje në gjendje t'a japë spermën ditën që aspirohen vezët, atëherë mund të kërkohet ndihma e urologut. Mirëpo, nëse edhe kjo nuk ka sukses, atëherë preferohet të hapen testiset për t'a marrë spermën.

Poçese sperma nuk mund të fitohet nga meshkujt as me këtë procedurë ditën e përcaktuar, atëherë nevojitet që tretmani të anulohet. Për këtë arsye, edhe në situatat kur dihet nga raportet paraprake patologjike se sperma ka qenë prezente, kryerja e procedurës së quajtur « ekstraksioni i spermës nga testiset (TESE/TESA) » para se të fillohet me tretmanin IVF do të na njoftonte me kohë për situatën reale dhe kështu do të na ndihmonte në gjetjen e solucionit të përshtatshëm.

Dështimi në realizimin e fertilizimit: Dështimi i vezëve për t'u fekonduar edhepse spermtozoidet dhe vezët janë kombinuar në laborator, mund të ndodhë edhe me procedurën e IVF edhe me procedurën e mikroinjeksionit (ICSI). Kjo situatë haset rrallëherë kur mikroinjeksioni (ICSI) përdoret si procedurë, por mund të jetë edhe rezultat i ndonjë anomalie në disa qeliza vezë apo në spermatozoide. Për këtë arsye, është e nevojshme që të përcaktohet se cila procedurë është më e përshtatshme për pacienten. Sidoqoftë, nëse fekondimi nuk arrihet, atëherë tretmani duhet të ndërpritet dhe duhet të zhvillohen hulumtime për t'i gjetur shkaqet e dështimit.

Dështimi në zhvillimin e embrioneve:Ndonjëherë nuk vjen deri tek ndarja e qelizave dhe zhvillimi i embrioneve, edhe pse mendohet se fertilizimi ka qenë i suksesshëm. Sërish, kjo mund të jetë si pasojë e ndonjë problemi zhvillimor qoftë në spermatozoide apo në qeliza vezë. Edhe në këto raste tretmani duhet të ndërpritet dhe duhen kryer hulumtime për zbulimin e kësaj anomalie.

Komplikimet te procedura IVF:

1. Terapia hormonale mund të shkaktojë kokëdhimbje, zbutje të gjinjëve, ligështi, sulme të nxehtësisë, ndryshime të gjendjes shpirtërore dhe shumë rrallë të vjella.

2. Për shkak të hiperndjeshmërisë, mund të vjen deri te sindroma e hiperstimulimit. Gjatë tretmanit ART (teknologjia e riprodhimit të asistuar) mund të paraqiten dhimbje të lehta përreth vezoreve dhe në abdomen (bark). Nëse këto ankesa shtohen kurse paraqitet edhe lëngu në abdomen bashk me problemet e frymëmarrjes, atëherë duhet ditur se kemi të bëjmë me sindromën e hiperstimulimit. Varësisht se sa serioze janë këto simptome, pacientja mund edhe të hospitalizohet.

3. Shtatzania jashtë mitre mund të ndodhë për shkak të implantimit (ngjitjes) së embrioneve në kanalet e Fallopit. Ky komplikim i rrallë karakterizohet me dhimbje abdominale dhe me gjakderdhje vaginale në fazat e hershme të shtatzanisë.

4. Shtatzania e shumëfishtë është dukuri e zakonshme në procedurën e ART për shkak të transferit të një numrit më të madh të embrioneve. Sidoqoftë, ulja e numrit të embrioneve të transferuara i ulë edhe gjasat për shtatzani. Në rast të shtatzanive të shumëfishta, në javën e 10 ose 11 të shtatzanisë pacientes i ofrohet reduktimi i embrioneve të tepërta.

5. Gjakderdhje të parregullta menstruale mujore mund të paraqiten pas tretmanit ART.

6. Trajtimi hormonal i përdorur në procedurën e ART nuk e rritë rrezikun e kancerit gjenital.

7. Rreziku i anomalive kongjenitale (të trashëguara) tek foshnjet e lindura me ART procedurë nuk dallon nga ai që haset në popullatën e zakonshme.
Share


 

Lokacioni

Adresa: Isa Kastrati p.n., Kodra e Diellit, Prishtinë

 

Kontakti 

Tel: +377(0) 44 770 002  

Tel: +377(0) 44 111 934  

Tel: +386(0) 49 500 771

Tel: +386(0) 49 555 200